“Famëzezë” e cilëson kreu i PD-së, Sali Berisha darkën e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e Policisë së Shtetit që u mbajt pak ditë më parë, duke theksuar se kjo bëhet për të shtrënguar radhët para stuhisë së revolucionit demokrat. Po ashtu Berisha i bën thirrje qytetarëve që të hapin një regjistër të veçantë për çdo shef komisariati dhe të regjistrojë çdo akt të tij.
“Edi Rama organizon darkën famëzezë me shefat e policisë në vend, në shkelje me çdo ligj dhe parim për policinë. Darka ishte një përpjekje e Edi Ramës për të shtrënguar radhët përpara stuhisë së revolucionit. Darka ishte një element kriminal elektoral. Pasi ai nuk ka ndërmend të veprojë ndryshe, përveçse të shkelmojë votën e shqiptarëve.
Ftoj çdo demokrat të hapë një regjistër të veçantë për çdo shef komisariati dhe të regjistrojë çdo akt të tij. Një libër për krimet e Policisë së Shtetit. Udhëzimet e dhënë nga Edi Rama janë goditja e mëshirës për këtë institucion.
Zgjidhjen e jep dhe do ta japë vetëm revolucioni demokratik. Qytetarë, ju e shihni vetë se kush qeveris dhe ku shkojnë taksat tuaja. U zbulua rastësisht se sa dyshekë janë të mbushur me euro, se sa arka të mbushura plot mund të jenë në Surrel. Kemi të bëjmë me një shpërthim të tmerrshëm të gjirizit të korrupsionit dhe vjedhjeve të kësaj qeverie”, tha Berisha.
