Kosova kujtoi më 15 Janar 24-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe vranë barbarisht 45 civilë shqiptarë. Një rol kryesor në njohjen e kësaj masakre dhe krimeve që bëri Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë ka edhe diplomati amerikan William Walker, i cili asokohe shërbente si kreu i misionit të OSBE-së. Walker ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku ka dëshmuar se si u njoh me ngjarjen në Reçak mëngjesin e 15 Janarit 1999.
Blendi Fevziu: Ambasador, në atë kohë, në Janar të 1999, ju ishit kreu i Observatorit të OSBE-së, si vutë re ngjarjen në Reçak atë mëngjes? E mbani mend fiks se çfarë ndodhi?
William Walker: Absolutisht. E mbaj mend shumë qartë. Kam jo vetëm kujtimet e mia, por kam parë edhe shumë video, lajme…
Blendi Fevziu: Dokumentarë…
William Walker: Dokumentarë…
Blendi Fevziu: Të cilët flasin për atë histori…
William Walker: Po, mirë e thatë. Është shumë e vështirë të harroj se çfarë ndodhi edhe nëse do duhej të harroja.
Blendi Fevziu: Si e morët njoftimin e parë? Si e morët lajmin?
William Walker: E dija që do shkoja për të parë diçka që më ishte thënë se është shumë e rrëmujshme dhe e përgjakshme. Kur shkova aty, pashë që vërtetë ashtu ishte situata. Banorët e fshatit, që ishin kryesisht gra dhe fëmijë qanin, ishin në gjendje të keqe dhe ne menjëherë shkuam drejt vendit që na thanë se ka trupa të vdekur. Trupi i parë ishte i një burri, me kurriz dhe pa kokë. Kjo na çoi te trupat e tjerë. Ndonjëherë trupat i shikonim një nga një, ndërsa ndonjëherë ishin grumbuj. Ishte diçka shumë e keqe për t’u parë.
Blendi Fevziu: Që nga çasti i parë, ju ishit i sigurt se ishte një masakër?
William Walker: Isha shumë i sigurt që prej fillimit ngaqë…
Blendi Fevziu: Pati një shtysë të madhe nga serbët për të thënë se ishin pjesë të UÇK-së të aso kohe.
William Walker: Vërtetë.
Blendi Fevziu: Si ishit aq i sigurt se kishte vetëm vendas aty?
William Walker: Si fillim, kishte shumë burra të moshuar. Së dyti, ishin veshur me ato që unë quaj rroba rurale, rroba fermerësh. Njerëzit në këto zone veshin çizme prej llastiku deri këtu. Ishte më se e qartë se këta nuk ishin ushtarë me uniformë siç pretendoi më vonë Beogradi. Pati pretendime se unë kisha shkuar një natë përpara aty dhe kisha ndryshuar rrobat e tyre. Megjithatë, shenjat e plumbave tregonin se ato ishin vrarë aty ku kishin rënë.
Blendi Fevziu: Ishte shumë e lehtë t’i shikoje dhe t’i identifikoje plumbat…
William Walker: Fytyrat e tyre ishin të goditur, sytë i kishin dal nga vendi, kishte plumba në gjithë trupin e tyre, kishte gjak. Ishte kohë me borë dhe kishte gjak mbi dëborë. Kishin rënë aty ku u gjetën. Nuk ishin në dyluftim. Kishte gëzhoja rreth tyre. Kishin një zotëri nga ushtria me vete i cili më tha se këto gëzhoja nga armët e ushtrisë dhe policisë.
Blendi Fevziu: Deklaratën e parë ju e mbajtët atje, në vendngjarje.
William Walker: Në vendngjarje thashë… Kishte shumë gazetar që më ndoqën. Ishte një korrespondente nga ABC-ja e SHBA-ve, dhe një gazetare e re në moshë më ndiqte nga pas e më pyeste vazhdimisht: Çfarë mendon? Çfarë mendon? Çfarë mendon? I thash: shiko. Lërmë të mbaroj këtu, të flas me banorët e fshatit dhe të premtoj se do të mbaj një konferencë shtypi kur të kthehem në zyrë. Dhe do të marr kohë të mendoj se çfarë do të them…
Blendi Fevziu: Kohë për të reflektuar… Çfarë diskutimesh patët me banorët vendas, me banorët e fshatit? Mbani mend ndonjë gjë?
William Walker: Fola me banorët e fshatit të cilat ishin kryesisht gra. Fola me një burrë, që e mbaj mend.
Blendi Fevziu: Vetëm tre burra mbijetuan nga kjo masakër.
William Walker: Po. Historia që mu tha është se ushtria serbe ndodhej lart në kodra rreth qytezës dhe po e bombardonin për pjesën më të madhe të 15 janarit. Më vonë, në pasdite të 15 janarit, zbritën nga kodrat. Në atë çast burrat dhe djemtë thanë: më mirë të largohemi që këtu. Nuk donin që të rriheshin dhe të keqtrajtoheshin. Shumica prej burrave shkuan në një drejtim, ndërkohë 2-3 të tjerë shkuan në një drejtimin tjetër. Këta të fundit mbijetuan. Fola me një prej tyre që më thanë këtë gjë, që ma konfirmuan edhe gratë. Thanë se po, ishim në shtëpitë tona, policia erdhi në fshat dhe menjëherë urdhëroi të gjithë djemtë dhe burrat të dalin jashtë. Dolën. Disa prej tyre u rrahën. Sigurisht që ishin të çarmatosur. U shoqëruan duke iu drejtuan armët drejt një përroske. Banorët thanë se mendonin se po shoqëroheshin për t’u marrë në pyetje, për t’u burgosur që do ishte në rregull. Vetëm më vonë kur dëgjuan të shtënat kuptuan se diçka kishte ndodhur. Historia ishte shumë e qëndrueshme.