Për shkak të motit të keq, shërbimet e Policisë Rrugore janë në gatishmëri në të gjitha rrugët e vendit, për të menaxhuar trafikun dhe për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në rast nevoje. Në gatishmëri janë edhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në segmentet rrugore ka prezencë të ujit dhe në këto kushte rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore është më i lartë. Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të policisë në të gjitha akset rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe monitorimin e qarkullimit të automjeteve të akset rrugore në të cilat janë krijuar vështirësi për shkak të motit të keq.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përrdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.