Agron Neza, biznesmeni shqiptaro-amerikan, që dyshohet të ketë bashkëpunuar me ish-agjentin e FBI-së të vënë në hetim në SHBA, ka qenë student i shkollës së Sigurimit në fund të viteve ’80. Sipas gazetarit Mero Baze, në vitin 1990 Agron Neza, që tani jeton në Nju Xhersi, u bë badigard vullnetar i Azem Hajdarit dhe Sali Berishës.
“Duke parë rreziqet që shoqëronin Azemin, sidomos pas vrasjes në tragetin e Tropojës të dikujt me pardesynë e tij, ai i dha Azemit pistoletën e punës ta kishte për siguri. Berisha nuk e harroi këtë detaj. Sapo erdhi në pushtet më 1992 dhe filloi sherret me Azemin, urdhëroi prokurorinë të gjente pistoletën e Azemit dhe e shpalli Agronin në kërkim, se nuk kishte dorëzuar pistoletën.Kështu, nga njeri që i kishte shpëtuar kokën më 1991, e detyroi të arratisej në SHBA dhe mezi e mbylli çështjen e mosdorëzimit të armës pas dhjet vitesh”, shkruan gazetari Mero Baze, që thotë se e ka njohur personalisht Agron Nezën.
Në një dalje për mediat këtë të mërkurë ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk e njeh Agron Nezën.
“Unë nuk e njoh personalisht atë. Nuk kam asnjë lidhje. Ai ka punuar në shërbim në qytete të ndryshme. Ka shumë gjëra që faktojnë të kundërtën e asaj që akuzojnë këta”, tha Berisha.
Por gazetari Mero Baze, këmbëngul në njohjen mes 2 tropojanëve. “Ja përmend emrin sikur nuk e njeh, edhe pse e ka pritur në zyrë disa herë më pas, duke i kërkuar ndjesë për atë që i ka bërë”, shkruan Baze.