Pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në selinë rozë, kryeministri Edi Rama ka pranuar takimet me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal. Megjithatë , ai këmbënguli se nuk ka asnjë lidhje me hetimin e SHBA-së.
Sipas tij, opozita po e përdor për interesa të saj.
“Besoj që njerëzit normalisht duhet të jenë mësuar se këtu opinion ndahet në një pjesë që beson medoemos atë që do të besojë dhe një pjesë që dëgjon dhe reflekton mbi faktet. Kjo është një çështje jo çështje, është e hetuar nga drejtësia amerikane, e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia kur ato bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore dhe nuk ia përton kujt. Në këtë rast ka zero akuzë dhe zero lidhje mes asaj që diskutohet dhe meje dhe Republikës së Shqipërisë. Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm, përmendja e emrit si pjesë e një takimi nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Takova një zyrtar të lartë, po, e takova, disa herë. Kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së çorollepsjes së njerëzve aq më pak kush jemi para një prove të re në lidhje me 21 janarin dhe kërkesën për hapjen e hetimit të SPAK. Kush e kupton e kupton, unë nuk kam pse komentoj asgjë. Unë dhe qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që kryesorja është krejt tjetër”, tha ai.
Pyetje: Në aktpadi thuhet se nga takimet ka pasur edhe fatura?
Rama: Në çfarë gjuhe e keni lexuar? Unë s’kam shqetësim për këtë çështje. Drejtësia amerikane e ka hetuar tërësisht dhe që ka dalë në konkluzione. Në rastin konkret ka akuzë për konflikt interesi në marrjen e një borxhi nga miku i tij shqiptaro-amerikan. Unë kam takuar dhe një person të shpallur non-grata këtu në Shqipëri.
Ka një drejtësi në Amerikë dhe ka gjykata. Nëse ju thoni se drejtësia dhe gjykata mund të kontestohet nga Foltorja apo e vulës, kjo është zgjedhja juaj. Nuk kam asnjë replikë. Unë ju them njerëzve ja ku është pasqyra e së vërtetës.