Në Tiranë është hapur një ‘luftë’ deklaratash mes konçesionarit kinez të aeroportit të Rinasit dhe qeverisë, lidhur me sigurinë në aeroport pas grabitjes spektakolare të së martës.
Por kryeministri Edi Rama këtë paradite ka postuar një video të takimit të tij me kryeministrin kinez Li Keqian, gjatë samitit të 8-të të vendeve të Europës qëndrore, asaj juglindore si dhe Kinës, të njohur si iniciativa 16+1.
Ndërkohë, kujtojmë që një ditë më parë Rama ka publikuar në Instagram një foto në shoqërinë e kinezëve që shprehen “We love Albania”.
Ministrja Belinda Balluku e ftuar një ditë më parë në “Opinion” tha se kontrata me konçesionarin nuk mund të anulohet pasi ka penalitete të rënda për shtetin shqiptar. Ndërkohë që në takimin që pati me përfaqësuesit kryesor të kompanisë ajo tha se i janë lënë detyra përsa i përket sigurisë që kërkojnë zgjidhje urgjente.
