Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku së bashku me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, inauguroi sistemin e integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ky transformim do t’u vlejë miliona qytetarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare, ndërsa theksoi se synimi është shtrirja e të njëjtit sistem edhe në pikat e tjera kufitare.
“Ky transformim do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vijojmë edhe në pikat e tjera për të pasur të njëjtin sistem”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat i cilësoi të mira. Ai theksoi se Shkupi zyrtar respekton çdo entitet dhe se funksionimi i sistemit “One Stop Shop” do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit.
“Ne respektojmë çdo entitet. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të mira. One Stop do të ndihmojë më tej në zhvillimin e turizmit”, u shpreh Mickoski.
