Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të së shtunës në Staten Island të New York-ut. 23-vjeçarja me origjinë nga Kosova, Adriana Sylmetaj humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. Nga kjo ngjarje shumë e rëndë mbeti i plagosur partneri i saj, 30-vjeçari Adem Nikeziç, i cili raportohet po ashtu se ka origjinë shqiptare.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat amerikane, ajo që e bën më tragjike këtë ngjarje është fakti që çifti ishte në pritje të një fëmije. New York Daily News raporton se Sylmetaj dhe Nikeziq ishin në pritje të një vajze në muajin Prill.
Por gjithçka u shua mëngjesin e së shtunës, kur Nikeziq, nën efektin e alkoolit humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një mur e më pas me një shtyllë. Makina u shkatërrua dhe u nda përgjysmë. Për pasojë Sylmetaj humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Ajo ishte e emocionuar kur mësoi se do bëhej nënë. Ishte diçka e re. Mezi priste të lindte fëmijën”, tha vëllai i saj Al Sylmetaj për Daily News.
“Po mendonin për emrat, por nuk kishin vendosur ende. Po ashtu po mendonin të bënin një festë për pritjen e ëmbël të fëmijës”, shtoi ai.