Nga Roland Qafoku
Kjo është një fotografi e shkrepur 25 vjet më parë. Është një pushim i shkurtër gjatë xhirimeve të filmit “Shpëtoni ushtarin Rayan” (Save privat Ryan) në vitin 1998. Në të është aktori, nga më të mirët e Hollywood, Tom Hanks dhe në krah të tij regjisori epokal dhe drejtori i filmit, Steven Spielberg, i vlerësuar më i miri i të gjitha kohrave. Të dy këtë film e kanë trofe si filmin më të mirë në të cilin Hanks ka interpretuar dhe Spielberg filmin më të mirë që ka prodhuar në karrierën e tyre, pavarësisht sa e sa çmimeve që kanë marrë. Spielberg ka arritur që nëpërmjet këtij filmi të paraqesë skena mëse reale të luftimeve që ndodhën në zbarkimin në Normandi të ushtrisë amerikane në vitin 1944. Shikojeni me kujdes fotografinë. Nëse kalojnë 30 sekonda duke e parë, të duket vetja sikur je zënë mat në një situatë me luftime reale. Fabula e filmit është e thjeshtë në dukje, por realizimi është i një mjeshtrie jo të zakonshme dhe për atë kohë ndodhte për herë të parë. Komanda supreme cakton një skaudrilje usharësh amerikanë që kishin zbarkuar në Normandi të Francës që të gjenin dhe të dërgonin në shtëpi një ushtar me emrin James Ryan që ishte duke luftuar në front për arsyen e madhe se atij i ishin vrarë dy vëllezër po në këtë luftë dhe nuk ishte normale që të sakrifikohej edhe një i tretë. Skuadrilja kaloi peripeci derisa e gjejnë dhe e shpëtojnë ushtarin Ryan, por aventura në mes të betejave e tyre kalon në vështirësi dhe luftime nga më të paimagjinueshmet. Dhe realizimi i Steven Spielberg me cast-ën e aktorëve dhe realizuesit është tejet impresiunuese.
Kur filmi ishte gati për tu transmetuar, për ta vërtetuar se sa reale ishin improvizuar dhe luajtur skenat Spielberg u kujdes personalisht që në premierën e filmit të ftonte për ta parë atë disa veteranë që kishin marrë pjesë në atë histori reale lufte. Ishin 7-8 pleq rreth 90-95 vjeç që u ulën në një radhë të rezervuar të kinemasë dhe nisën të shikonin filmin e shumëpritur. Ata nuk ia ndanin sytë bezes së bardhë ku shfaqej filmi, ndërsa Spielberg, edhe ai në sallë, nuk ia ndante sytë veteranëve. Kur skenat e rënda në film u përsëritën, veçanërisht ato të luftimeve të drejtuara nga Tom Hanks dhe kur ushtarët amerikanë po vriteshin një e nga një, ndodhi e papritura. Me lotë në sy, veteranët pothuajse shekullorë nisën të dilin jashtë sallës një e nga një duke lënë përgjysmë filmin. Spielberg u shqetësua shumë. Doli edhe ai dhe në hollin e kinemasë dhe i pyeti i shqetësuar përe ishin larguar? Një prej veteranëve u përgjigj: Steven, filmi është realizuar si një skenë reale. Ishte aq real saqë na u kujtua si e gjallë gjithçka që kemi kaluar, luftuar, çfarë kemi parë dhe më e rënda si kemi përjetuar vrasjen e shokëve. Spielberg nuk foli. I la veteranët të iknin. Ata i kishin dhënë trofeun më të lartë që mund të merrte ai dhe filmi i tij. Oscar që ai fitoi pak muaj më vonë si “The best director” nuk ishte gjë në krahasim me ato fjalë që i thanë veteranët. “Shpëtoni ushtarin Ryan” është vërtetë filmi, ndoshta më i realizuari dhe më reali për ngjarje të Luftës së Dytë Botërore. U nominua për 10 çmime Oscar, nga të cilat fitoi 5, pa llogaritur shumë e shumë çmime të tjera. Dhe më e rëndësishmja akoma: Ndërsa buxheti për realizimin e tij ishte 70 milionë dollarë, të ardhurat nga shitjet arritën deri në rreth 500 milionë dollarë. Këto mrekulli prodhohen shumë larg nesh.
