Pas vizitës në SHBA, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur këtë të mërkurë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe është pritur nga kryeministri Rishi Sunak. Vizita e Zelensky në Londër është vetëm e dyta e tij jashtë vendit të tij që kur Rusia pushtoi Ukrainën pothuajse një vit më parë, pas vizitës së tij në Uashington DC në dhjetor.
Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak tha se vendi i tij do të zgjerojë trajnimin për pilotët luftarakë dhe marinsat, ndërsa premtoi gjithashtu një investim afatgjatë në ushtrinë e Ukrainës. “Vizita e Presidentit Zelensky në MB është një dëshmi e guximit, vendosmërisë dhe luftës së vendit të tij dhe një dëshmi e miqësisë së pathyeshme midis dy vendeve tona”, tha Sunak.
Që nga viti 2014, Britania e Madhe ka ofruar trajnime jetike për forcat ukrainase, duke i lejuar ata të mbrojnë vendin e tyre, të mbrojnë sovranitetin e tyre dhe të luftojnë për territorin e tyre.


