Do të jenë punonjësit e rendit dhe ato të “Shqiponjës” që do të formojnë kordonin përreth protestuesve, që sipas thirrjes së Sali Berishës do të jenë sot në orën 17:00 para Kuvendit. Pjesa më e madhe këtij kordoni, do vendoset përpara derës së parlamentit.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të ndahen në tre pjesë. Një pjesë do vendosen në bulevardin “Zhan Dark”, pjesa tjetër brenda rrethimit të Xhamisë së Namazgjasë, dhe një pjesë tjetër brenda ambienteve të parlamentit, ku aty pritet të vendosen dhe autobotë me ujë, që në rast përshkallëzimi të bëhet shpërndarja e turmës.
Të pranishëm do jenë edhe Forca speciale të RENEA-s. Pranë Parlamentit do ketë edhe punonjës të Gardës së Republikës, që do vëzhgojnë e parandalojnë protestuesit nëse do të ketë tentativë nga ana e protestuesve për të hyrë në godinë. Të gjithë punonjësit do jenë të pajisur me maska kundra gaz.
Në zonën ku do mbahet protesta nuk do të mungojnë as ambulancat dhe zjarrfikëset, për çdo rast. Policia do marrë masa edhe për bllokimin e rrugëve, ku rreth orës 15:00 do ketë kufizime në qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark”, por edhe një pjesë e rrugës së Elbasanit.
