Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problematikat më të mprehta të bizneseve shqiptare.
Pas sektorit të transportit në vështirësi për drejtues kamionësh, mungesën e fuqisë punëtore po e vuan edhe sektori i mobilieve.
Prej muajit shtator të vitit të kaluar ka mungesë të lartë të fuqisë punëtore, që po ndihet shumë edhe në këtë sektor. Kompanitë po shohin si zgjidhje, marrjen e punonjësve të huaj nga Egjipti me kualifikime të ngjashme në vendin e tyre.
Për shkak të largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar në emigracion, kompanitë prodhuese të mobilieve kanë rritur pagat e punonjësve. Pagesa minimale mujore të punonjësve të kualifikuar në sektorin e përpunimit të mobilieve variojnë nga 70,000 lekë niveli minimal deri në 120,000 lekë rroga maksimale.
Sipas përllogaritjeve të bizneseve kostoja e punësimit të punëtorëve egjiptianë llogaritet deri në 1,000 USD, 50% e vlerës, duke përfshirë pagesat për siguracionet shtesë së jetës, fjetja dhe ushqimi, ndërsa pjesa e mbetur është rroga mujore.
Shtimi i kostove nga mungesa e fuqisë punëtorë pritet të sjellë rritje të çmimeve deri në 15% më shumë se vitin e kaluar për disa nga punishtet e drurit në vend. Operatorë të tjerë pohojnë se do t’i mbajnë të pandryshuara çmimet për shkak të rënies së kërkesës.
