Pas më shumë se dy orësh para Parlamentit, protesta e thirrur nga Sali Berisha është mbyllur për ti lënë rradhës protesës së rradhës, kur do të jetë edhe seancë plenare. Teksa në Kuvend u njoftua se mocioni me debat me Edi Ramën do të mbahet më 2 mars, Sali Berisha njoftoi se nëse do të mungojë në seancë, bashkë me protestuesit do shkojnë në Surrel. Berisha tha se gjithçka do të jetë paqësore dhe 13 pyetjet do ia drejtojë në Surrel nëse nuk vjen në Kuvend.
“Tani, le të betohemi këtu, në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, po nuk u bë mocioni me debat në parlament, do bëhet në Surrel. Paqësor, urtë e butë! Por simboli, shpella e të keqes është Surreli. Ai nuk pranon të vijë këtu, ndaj ne do shkojmë aty ku struket ai. Paqësisht do ia numërojmë të gjitha këto të mocionit. Surreli do jetë objekt i revolucionit paqësor. Shkojmë aty karshi dhe i themi: kemi 13 pyetje o sulltan”,-tha Berisha.
Kurse nga selia blu, Berisha theksoi edhe se protesta e thirrur më 3 mars, nuk lidhet me ditën që Gjykata e Apelit do të japë vendimin se kujt nga dy grupet në PD i takon vula e partisë. “Protesta e 3 marsit nuk ka të bëjë fare me gjykatën. Ne e kemi vendimin e gjykatës i përmbahemi atij parimi, që i përmbahen njerëzit e lirë në gjithë botën”,-tha Berisha.
Opozitarët e kryesuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i qeverisë, për shkak të lidhjeve të tij me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Edi Paloka nuk u lejuan që të futen në sallë, për shkak se ishin përjashtuar një ditë më parë për sjelljen e tyre në seancën paraardhëse. Vendimi u konfirmua edhe nga Byroja e Kuvendit, pas ankimit të bërë nga deputetët e PD. Në protestë u hodhën tymuese dhe shashka drejt Parlamentit, ndërsa ra në sy edhe një protestues i veçantë, i cili u vendos para policëve me veshje popullore hipur mbi një kalë të bardhë.

