Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon akuzat ndaj ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, Dorian Duçkës dhe Agron Nezës, të cilët sipas tij kanë vendosur gjoja të majme ndaj biznesmenë. Ai ka përfshirë në këtë grup gjobash edhe Gabriel Escobar dhe ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Po ashtu ai i bëri thirrje Kongresit të SHBA-së, që të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere.
“E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista dhe përgojoheshin emra.
Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën.
I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit. Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së. Ne do kontribojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama”, tha Berisha.