Shoferi i autobusit të unazës, 63-vjeçari Agron Xhafa, i cili një ditë më parë shkaktoi aksidentin masiv në kryeqytet, ku mbetën të plagosur 9 persona, u arrestua mbrëmjen e djeshme.
I ftuar në studion e “Klan News”, specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka tha se 63-vjeçari ishte në gjendje shoku, aq sa nuk arrinte të jepte emrin e tij dhe se u kthjellua vetëm pasi mbërriti në spital.
“Unë mund t’ju konfirmoj që duke qenë se kam mbërritur shumë shpejt në vendngjarje dhe kam marrë kontakt me drejtuesin e mjetit, mund t’ju konfirmoj që në momentin e parë që kam marrë kontakt, kam konstatuar që ai ka qenë në një shok post-traumatik si pasojë e aksidentit, ku zotëria në fjalë nuk komunikonte, nuk jepte as gjeneralitetet e emrit të vet kur e intervistoja, nuk më jepte as a kishte nevojë për ndihmë mjekësore apo jo. Pra le të themi që ishte në një shok total dhe këtë e kam konstatuar vetë, deri në momentin që kemi bërë të mundur transportimin në ambientet e spitalit, ku aty më vonë është qartësuar, kthjelluar dhe ka filluar të sqarojë rrethanat për aq sa ai mbante mend. Kur realisht nuk është se ka deklaruar ndonjë gjë shumë të madhe sepse ka deklaruar që nuk mban mend se çfarë ka ndodhur, vetëm kur është bërë koshient në spital dhe kërkonte informacion më të detajuar për të ditur rrethanat se çfarë ka ndodhur”.