Kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur në lidhje me çështjen “McGonigal”, duke thënë se kryeministri Edi Rama mashtroi gjatë fjalës në Kuvend, ku shtoi se gjykata amerikane nuk gënjen kurrë. Referuar dosjes hetimore, Berisha nënvizoi se Rama ka mashtruar kur deklaroi se nuk është e vërtetë se nga zyra e kryeministrit u bë porosia për të hetuar lobimin e opozitës.
“Edi Rama ka kryer së pari krimin e shëmtuar të rekrutimit me korrupsion të kryeagjentit. Më 9 shtator është takuar me McGonigal në zyrë. Kush ia solli? Duçka juaj. Gënjen ai. Po çfarë është Duçka? Ai është njeriu që Rama e ka pajisur me pasaportë diplomatike, është zëvendësministri i Ramës që shkruante artikuj kundër gjykimit të Hagës për detin e Kinës Jugore, Duçka është njeriu që organizonte sponsorizimin prej qindra e mijëra dollarësh të ekspozitës së Ramës në Hong Kong.
Duçka është njeriu që solli McGonigal. A ishte agjent rus McGonigal, këtë e ndan drejtësia e vendit të tij. Por ai ishte tradhtar i vendit të tij. Edi Rama u miqësua aq shumë me të, sa kishte sekretin më të madh miqësinë me të, nuk e ndante as me shefin e shërbimeve, as me drejtorin e policisë, e ndante me Damianin, edhe me këto këtu.
“Nuk është e vërtetë”, thotë Edi Rama se nga zyra e kryeministrit u bë porosia për të hetuar lobimin e opozitës. Gjykata amerikane nuk gënjen. Ata disponojnë çdo gjë. Prandaj kryetari juaj është kufomë e pakallur politike. Të blejë sa të dojë deklarata, të ardhme nuk ka. Ne do e heqim atë, komisionin do e krijojmë. Komisioni është detyrim kushtetues”,-tha Berisha.
