Këtë të premte, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi një takim me Sali Berishën në selinë blu. Në përfundim, Meta theksoi se takimi kryhet si pjesë e koordinimit të vazhdueshëm mes partive në zgjedhjet e 14 Majit.
“Ju kam thënë që jemi në një koordinim të vazhdueshëm dhe perfekt në kuadër edhe të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe afrimit të kësaj dite të madhe të ndëshkimit të monizmit më 14 Maj dhe të triumfit të ndryshimit. Ky është një bashkim për ndryshim, jo një bashkim për pushtet”, u shpreh Meta.
I pyetur nëse do të dalë bashkë me Berishën në takime gjatë fushatës, pasi siç dihet ata deri më tani janë parë të ndarë, Meta u përgjigj duke thënë se ata janë në shërbim të kandidatëve të tyre.
“Ne jemi në shërbim të kandidatëve, kandidatët janë përzgjedhur përmes procesit më demokratik që kanë ndodhur në Shqipëri. Ndaj edhe janë kandidatë superior në raport me kandidatët e palës tjetër.
Jo vetëm kandidatët për kryebashkiak, por edhe ata të Këshillavë Bashkiakë bëjnë një diferencë të jashtëzakonshme si dita me natën”, tha Meta.
Po ashtu Meta theksoi dhe se opozita synon fitore në të gjitha qytetet kryesore. “Shkodra nuk ka mundësi më shumë se 5 me 0, se aq janë 5 njësi. Qarqet e tjera, opozita synon për një fitore në të gjithë qytetet kryesore të vendit, sidomos në të gjithë bashkitë ku ne kandidojmë dhe absolutisht do të ketë shumicën fituese koalicioni “Bashkë Fitojmë” në të gjithë këshillat bashkiakë kudo”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët për rritjen e pagës mesatare që u tha sot nga kryeministri Rama, kreu i PL-së tha se qytetarët janë mësuar me mashtrimet e përsëritura sipas tij të kreut të qeverisë.
