Specialistët e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me AMP-në Rajonale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.
Si rezultat i këtij operacioni arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. S., 34 vjeç, F. Q., 23 vjeç, dhe M. K., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit E. S., F. Q. dhe E. R., ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar 2 të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.
