Kryetari i grupit parlamentar dhe njëherësh drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Fierit, deputeti Taulant Balla zhvilloi këtë të hënë një takim me të rinjtë e Roskovecit, nga ku u ka bërë thirrje që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Balla tha se e shkuara kur vriteshe në fushata zgjedhore ka marrë fund, ku non grata-t qeverisin do të marrë fund, dhe këtë e ka në dorë çdo i ri të cilët të bashkuar mund të bëjnë që Shqipëria të ecë vetëm përpara, pa e kthyer më kokën pas.
“Në këtë fushatë ne nuk duhet të mbjellim kulturën e urrejtjes, por të mbjellim një kulturë tërësisht tjetër ku kundërshtari të mos shihet si armik, por për ta parë kundërshtarin si një bashkëqytetar”,-tha Balla i cili nënvizon se dy janë personazhet që mbjellin kulturën e urrejtjes e në Shqipëri, Saliu dhe Iliri.
“Askush nuk e imagjinonte dot 8 vite më parë sesi do të ishte sot Roskoveci. Të gjithë e mbani mend që këtu ku jemi mbledhur ka qenë një rrëmujë e madhe, ndërsa sot është një hapësirë e gjelbër. Roskoveci është një prej qyteteve që ka pësuar një ndryshim shumë të madh.Majlinda ka bërë një punë të shkëlqyer dhe rikandidimi i saj ishte një vendim shumë i lehtë për ne, pasi jemi të bindur që ajo nuk ka konkurrentë përballë. Konkurrenti ka ardhur që të kandidojë e të humbë, nuk ka ardhur të fitojë”, theksoi Balla.
“Ne duam që Roskoveci të bëhet më i bukur, sepse ne duam që ju të rinjtë ta ndërtoni të ardhmen tuaj këtu. Më 14 maj të gjithë të votojmë për Majlinda Bufin dhe Partinë Socialiste, sepse vetëm kështu Shqipëria ecën përpara”, përfundoi Balla.
