Rënia e euros nuk është efekt i zgjedhjeve të 14 Majit, por për ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, zhvlerësimi i monedhës europiane lidhet me tre faktorë të tjerë.
“Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë këtij viti. Po ashtu investimet e huaja direkte janë rritur në neto dhe kjo ka qenë një tjetër arsye. Flukset hyrëse kanë qenë në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja”, u shpreh Ibrahimaj.
Teksa njoftoi një tryezë diskutimi me bizneset eksportuese që po rezultojnë më të prekurat nga rënia e euros, Ibrahimaj paralajmëroi se pjesa tjetër e sipërmarrjeve do duhet ta mbajnë mbi supet e tyre peshën e luhatjes së kursit të këmbimit.
“Ka disa kompani që fitojnë dhe disa që humbin dhe kjo është pjesë e riskut të të bërit biznes. Kompanitë që kanë pasur humbje janë ato që kontratat i kanë lidhur shumë kohë më parë, para se të ndodhte zhvlerësimi i euros. Ne analizojmë me kujdes çdo lëvizje. Kursi i këmbimit nuk afekton vetëm kompanitë eksportuese. Normat e interesit të kredive në euro kanë bërë që euroja të bëhet atraktive. Analiza bëhet në të gjithë fushat”, theksoi ministja.