Titulli i tretë i Napolit në Serie A, festë e madhe në Italinë jugore ku trofeu rikthehet pas 23 viteve në pjesën e poshtme të gadishullit ndërsa në Napoli pas plot 33 viteve.
Skuadra e Luciano Spalletit barazoi 1-1 në Friuli ku vendasit kaluan fillimisht në avantazh por Victor Osimhen gjeti golin e barazimit duke u konfirmuar edhe si golashënuesi më i mirë i Serie A me 21 gola.
Napoli e ka çuar në 16 pikë diferencën me Lazion e vendit të dytë dhe tashmë kur kanë mbetur edhe 5 javë, siguria është edhe matematike e festa sapo ka filluar.
Titullin e fundit, të kaltërit e kishin fituar në sezonin 1989-1990 me lider Diego Armando Maradonan por sot në stadiumin që mban emrin e legjendës, festojnë Kvaratschkelia, Osimhen, Rrahmani, Anguissa, Politano apo Kim e gjithë banda e Luciano Spalletit.
Trajneri toskan ndërtoi një skuadër fantastike duke i dhënë një identitet të veçantë. E nisi sezonin me dy fitore dhe dy barazime por më pas regjistroi 11 suksese duke dhënë sinjalet e para që ky mund të ishte sezoni i Napolit.
Pushimi i Kupës së Botës krijoi idenë se Napoli nuk do të rikthehej më skuadra e përpara botërorit por ekipi i kaltër nuk u ndal përpara asnjë pengese edhe pse në ndeshjen e parë të vitit 2023 u mund nga Interi. Ky Napoli është një histori bashkë me lojtarët dhe njerëzit e tij me 25 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje.