Kryetar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar këtë të premte homazhe për Ditën e Dëshmorëve edhe në Çorovodë, pas Beratit. Meta në fjalën e tij për mediat tha se liria mbrohet me votë dhe pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa ftoi qytetarët që të votojnë më 14 maj për ndryshimin.
“Jam i nderuar që jam këtu me përfaqësues të këtij qyteti, dhe të familjarëve të dëshmorëve. Të parët tanë kanë bërë qëndrese të jashtëzakonshme kundër nazi-fashistë. Jemi krenarë që Skrapari ishte i pari që u çlirua dhe mbeti një kështjellë që nuk u ripushtua më. Jam i bindur se 5 maji i ardhshëm do të jetë krejt tjetër dhe këtu do jetë gjithçka siç ka qenë gjithmonë.
Ne do kujdesemi gjithmonë që këto vende të shenjta të kenë vëmendjen e kujdesin e të gjithëve. I ftoj të gjithët të forcojmë këtë liri, me pjesëmarrjen tonë në zgjedhjet e 14 majit. Janë një moment kyç, që të vendosim bashkitë në interes të qytetarëve. Duhet t’u kujtojmë fëmijëve tanë, se liria nuk dhurohet, por mbrohet çdo ditë. Liria mbrohet me votë dhe pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Meta.
