Zëdhënësja e fushatës së Belind Këlliçit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Tiranë, Silvi Bardhi denoncoi sot, se në 8 vite kryetari Erion Veliaj ka bërë vetëm 12 shkolla të reja, dhe ka rikonstruktuar 9 ekzistuese”.
“Dje Faktoje, një organizatë e specializuar në verifikimin e fakteve, ka vërtetuar një prej mashtrimeve më të mëdha të Veliajt në fushatë. Ai mburret se ka bërë 40 shkolla, por në fakt e vërteta është se në 8 vite, Erjon Veliaj ka bërë vetëm 12 shkolla të reja, dhe ka rikonstruktuar 9 ekzistuese”, tha Bardhi.
Ajo tha më tej edhe se vetëm me taksën e infrastrukturës arsimore, Veliaj ka marrë nga qytetarët e Tiranës 41 milionë euro. “Ndërkohë që 160 mijë banorë të Tiranës, të zonës së Astirit, të Liqenit të Thatë, të Kodrës së Priftit, janë pa asnjë çerdhe, pa asnjë kopësht, pa asnjë shkollë. Po dje media, ka trajtuar një tjetër mashtrim të Veliajt, të denoncuar më herët edhe nga kandidati i opozitës, Belind Këlliçi”, tha ajo.
