Mijëra njerëz protestuan të hënën në Beograd të Serbisë, pas vrasjeve masive që ndodhën në këtë vend. Ata bënë thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe për kufizim të përmbajtjeve të dhunshme në media.
Në protestën e cila u mbajt para parlamentit të Serbisë dhe para zyrave të qeverisë serbe, morën pjesë edhe anëtarë nga partitë e përçara politike të vendit.
Serbët protestuan me moton “Serbia kundër dhunës” pas vrasjeve të javës së kaluar, ku mbetën të vrarë 17 vetë e u plagosën disa të tjerë.
Protestuesit kërkuan gjithashtu, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiç, drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandër Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave.
