Sot koordinatori i Partisë së Lirisë në Kuçovë, u kap duke blerë vota dhe për këtë rast dhe jo vetëm, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dhënë një mesazh të qartë. Ajo tha se është në dijeni të këtyre raportimeve për shit-blerje të votave duke kërkuar që të merren masa përkundrejt partive politike që akuzohen.
“Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar, duhet të votojnë, kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritet do të bëjnë detyrën e tyre, nëse disa po thonë se po blen vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime”, tha Kim.
Të dielën janë votimet, dhe komunikimi për shit-blerje votash për Partinë e Lirisë ka vënë në pranga një 52-vjeçar dhe një tjetër është vënë nën hetim. 52-vjeçar i identifikuar si Kristo Agalliu, është arrestuar dhe Agron Duro, 61 vjeç po hetohet në gjendje të lirë.
Ky i fundit po bisedonte me koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë dhe i thoshte se do të sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës kundrejt 150 mijë lekëve të vjetra për 4 vota, nga të cilat 50 mijë lekë do të përdoreshin për naftë.
“100 mijë lekë është turp. Ia marrim, por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit”, thotë banori.
