Juventusi nuk ka ndër mend të heqë dorë nga Masimilano Alegri, ndonëse duke gjykuar nga ajo që shkruhet në rrjetet sociale, tifozët e bardhezinjve janë të inatosur me trajnerin i cili përsëri nuk diti të shfrytëzonte potencialin në dispozicion për të sjellë Ligën e Kampioneve në Torino.
Menjëherë pas eliminimit nga Ajaksi, si presidenti Anjeli, ashtu edhe vetë trajneri deklaruan se marrëveshja do të vazhdonte mes palëve. Por me sa duket, nuk bëhet fjalë vetëm për vitin e mbetur në kontratën e tij me klubin torinez.
“RAI Sport” bën të ditur se palët janë ulur në tavolinën e bisedimeve e jo vetëm kanë konfirmuar dëshirën për të vazhduar punën bashkë, por edhe se Juventusi ka bërë një tjetër hap, duke e zgjatur bashkëpunimin. Kështu, kontrata e re e Alegrit do të jetë dyvjeçare, me bindjen se ai do të mund të sigurojë në këtë periudhë trofeun e shumëkërkuar nga bardhezinjtë.
Njëkohësisht, klubi duket se ka rënë dakord që në këto dy vite, rroga e Alegrit të pësojë një rritje në krahasim me atë aktuale. Kështu, ajo do të kalojë nga 7 në 8 milionë euro neto në sezon, duke vazhduar të jetë më i mirëpaguari në Serinë A dhe një nga më të paguarit në Europë.
