Zgjedhjet e 14 majit krahas forcave politike janë një sfidë edhe për vetë median. Jo vetëm me resurset në burime njerëzore për të mbuluar aktivitetet e shumta të partive politike, por së pari në cilësinë e raportimit.
Zgjedhjet nxorën në pah se trysnia e informacionit të shumtë dhe nga ana tjetër mungesa e njerëzve nëpër redaksi uli vigjilencën për të kaluar nën filtrim lajmet duke sjellë dhe rritje të prodhimeve lajmeve fake news që shfrytëzohen nga forcat politike.
Lajmi më i bujshëm ishte ai i fotos së Veliajt me iranianët, që në fakt rezultoi një fake news dhe nxori në pah cilësinë e të bërit gazetari, duke u kthyer thjesht në transmetues të informacionit dhe jo në filtrues.
Berisha publikoi në 4 maj në ‘Opinion’ një fotografi, ku shfaqej një person me flokë të gjata, për të cilin deklaroi se ishte Erion Veliaj i maskuar me paruke, gjatë vizitës së tij në Iran në vitin 2008.
I vetmi që hodhi dyshime mbi atë foto dhe që u tall që në fillim, ishte drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu.
Personi që Sali Berisha nxori në fotografi dhe deklaroi se ishte Erion Veliaj me paruke, në fakt është kitarristi i grupit të famshëm rock “The Eagles”, Joe Walsh, ndërsa vetë fotografia është shkrepur në vitet 1970. Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google dhe gjen lehtësisht se Joe Walsh sot është 75 vjeç.
Këto janë disa nga mediat kritike me të majtën të cilat publikuan menjëherë lajmin se Veliaj ka lidhje me iranianët.
https://lapsi.al/2023/05/04/berisha-veliaj-shkoi-i-maskuar-ne-iran-ne-2008-en/
Fuqia e media dhe e rrjeteve sociale
I gjithë ky skenar duket se ishte mirëpërgatitur nga kundërshtarët politikë të Berishës për ta diskretituar atë. Mjafton të shohim foton e bisedës së dërguesit me Berishën në chat-in e Facebook për të kuptuar se gjithçka ishte me regji nga pala tjetër.

Deri të enjten tjetër të emisionit askush as pohoi dhe as mohoi vërtetësinë e një foto të tillë me gjasë që një lajm i tillë fake news të zinte vend. Asnjë media apo gazetar nuk u mor më me atë çështje për ta thelluar edhe më tej apo për të kontrolluar vërtetësinë e asaj foto që për një vend anëtar të NATO-s do të ishte alarmante. Me qëllim diskreditimin e kundërshtarit politik, por dhe të mediave online, provat se ishte e gjitha një fake news u publikuan nga kryeministri Rama vetëm 3 ditë para datës së zgjedhjeve.
Një lajm i tillë ishte befasi dhe për vetë mediat të cilat për mëse 7 ditë nuk bënë asnjë verifikim të një lajmi të tillë që implikonte Gardën Iraniane, një kryebashkiak, por dhe sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.
AMA nuk ka bazë ligjore për ndërhyrje në mediat online, portalet dhe as median e shkruar. Edhe pse në fakt dhe vetë televizionet kryesore kanë portalin e tyre online, AMA ka në fokus vetëm pjesën televizive dhe radiofonike.
Brenda AMA funksionon një bord tjetër që quhet Këshilli i Ankesave dhe që trajton ankesat në lidhje me transmetimet audiovizive përfshirë edhe rastet e ankesave për lajmet e rreme.
Këshilli i ankesave është një trupë që zgjidhet nga Bordi i AMA dhe vepron në pavarësi të plotë prej tij. Këshilli shqyrton ankesat e publikut ndaj televizioneve apo radiove. Kur gjykon se ankesa është e drejtë, Këshilli i propozon AMA masa ndëshkuese dhe është AMA që merr vendim. Por
AMA nuk mund të trajtojë asnjë ankesë për mediat online pasi nuk ia lejon ligji dhe as me problematikat që shfaqen.
Një përpjekje e qeverisë për të sjellë edhe median online brenda një ligji që zbatohet nga AMA para pak vitesh u kritikua gjerësish nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat ndërkombëtare të medias, mediat në Shqipëri. Qeveria u tërhoq atëherë nga drafti që mori emërtimin jozyrtar ‘ligji antishpifje.
Instituti i Studimeve Politike nënvizon në një raport të saj se mungesa e legjislacionit mbi mediat online dhe dobësitë e saj nuk mund të jenë motiv për median për të abuzuar me lirinë e shprehjes dhe as për institucionet, për të diktuar raportimet mediatike.
Deri tani ka vetëm një Kod Etike që detyron median të publikojë një korrigjim të qartë dhe përshtashmërisht të dukshëm kur vërtetohet se ka botuar një informacion të pasaktë dhe të shtrembëruar. Pala e kritikuar gjithashtu duhet të ketë të drejtën për t’u përgjigjur. Por asgjë detyruese.

Portalet online dhe rrjetet sociale ditën e heshtjes zgjedhore
Sipas nenit 84/10 të Kodit Zgjedhor; “institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve u ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji”.
Por sipas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ky nen i ndalon institucionet publike që të reklamojnë në mediat audio dhe audiovizive – por jo në mediat online – për të cilat KQZ pretendon se ligji është i paqartë.
Pikërisht këtë hapësirë kanë shfrytëzuar dhe subjektet e ndryshme politike apo kandidatët për të vijuar me fushatën e tyre dhe ditën e heshtjes zgjedhore, 13 maj.
Nëse në televizione apo radio nuk gjeje lajme që kishin të bënin me zgjedhjet, nëpër portale mund të gjeje lehtësisht lajme politike të publikuara ditën e shtunë. / Luis Tanushi


