1 Qershori shënon në mbarë botën Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Kjo ditë nuk është vetëm ditë festive, por njëherësh shërben për të sensibilizuar prindërit dhe fëmijët në lidhje me rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve të sigurta për jetën dhe shëndetin e tyre.
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) organizoi një aktivitet për rritjen e ndërgjegjësimit të prindërve mbi rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve për kujdesin e fëmijëve të tyre, si dhe lodrat që ata përdorin.
Inspektorët e ISHMT u dhanë këshilla prindërve mbi mënyrat e përzgjedhjes së produkteve dhe lodrave për fëmijë.
“Ky aktivitet që ne kemi organizuar ka për qëllim të informojë dhe sensibilizojë prindërit që të blejnë produkte të sigurta për fëmijët e tyre. Informacioni që ne ju kemi ofruar nëpërmjet broshurave të ndryshme është një informacion i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i mjaftueshëm për të bërë diferencën ndërmjet një produkti të sigurt dhe një produkti jo të sigurt. Duke përfituar nga rasti dua që nëpërmjet jush të përçoj një mesazh për të gjithë prindërit: Para se të blini produkte për fëmijët sigurohuni që ato të jenë produkte të sigurta”, tha Minush Lazaj, përfaqësues i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.

