Princ Harry ka mbërritur këtë të hënë në Gjykatën e Lartë në Londër. Ai do të japë dëshminë e tij për një çështje ku edhe emra të tjerë të showbizit kanë ngritur kundër gazetës “Daily Mirror”. Ata akuzojnë botuesit e këtij grupi mediatik për përgjim telefonash dhe shkelje privatësie.
Rasti shënon herën e parë në 150 vite që një anëtar i Familjes Mbretërore del para një gjykate për të dhënë dëshmi. Harry pritet të përshkruajë ankthin dhe zemërimin e tij për shkak të përndjekjes nga paparacët dhe ndikimin e tyre edhe tek ata që e rrethojnë.
Familja Mbretërore ka fajësuar paparacët për aksidentin me makinë ku u vra nëna e tij, Princesha e ndjerë Diana.
