Kryeministri Edi Rama në turin e falenderimeve nga Lushnja është shprehur mbi përgjegjësinë që kanë të zgjedhurit para zgjedhësve. Rama zotohet që ky besim i dhënë duhet të shpërblehet. Më tej, kryeministri i vendit nuk ka hezituar të përmendë dhe ata persona të cilët bëjnë shkelje të ligjit, për të cilët thotë se i bëjnë të gjithë të skuqen.
Megjithatë, ajo që nuk ka ndodhur më parë sipas Ramës, është që njerëz të fuqishëm janë duke shkuar para drejtësisë, gjë për të cilën thotë se nuk ka ndodhur më parë.
Edi Rama: Të jeni të bindur që gjithçka që kam mundësi për ta bërë do ta bëj për të shlyer besimin tuaj. Kështu besoj duhet të jetë për të gjithë, edhe për deputetët.
Nuk ka nder më të madh se të jesh një grusht të zgjedhurish për të marrë vendime për një popull. Nuk e kthejmë do të plotë, por nuk na falet pa kthyer gjithçka të mundur prej tij.
Gjërat do bëhen gjithnjë e më mirë, por duhet të kemi durim. Ka momente që duhet të shtrëngojmë dhe dhëmbët kur na vjen të plasim sepse shikojmë njerëz që papritur dhe pakuptuar shfaqen në një dritë tjetër. Që besimin tuaj dhe timin, abuzojnë dhe në një farë mënyre na bëjnë të gjithë të skuqemi.
Ama duhet të jemi krenarë që i kemi dhënë këtij vendi mundësinë për të bërë drejtësinë. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi, që njerëz të fuqishëm të shkojë para drejtësisë. E di që ka shumë gjëra që nuk shkojnë, por të mos harrojmë që çfarë ka ndodhur sot nuk ka ndodhur kurrë më parë.
