Seanca e sotme parlamentare dha një shfaqje të turpshme ku vetëm disa deputetë dhe dy ministra ishin prezentë në sallë.
Edhe pse do të duhet të ishte një nga seancat më të rëndësishme e dedikuar shqetësimeve të qytetarëve, kjo me sa duket pak peshë ka për të zgjedhurit.
As deputetët e mazhorancës, por as deputetët e opozitës të cilët do të duhet të ishin edhe më aktivët në këtë seancë, nuk ishin prezent.
Gazetari Osman Stafa që mbulon parlamentin ka publikuar dhe foton ku siç shihet salla ishte bosh.
“Sot në Parlamentin shqiptar po diskutohet për hallet e qytetarëve, problemet që kanë zgjedhësit. Nga 140 deputetë, të pranishëm janë vetëm 35. Gjysma e tyre janë duke qëndruar se kanë fjalën. E thonë fjalën e tyre e pastaj ikin.
Nga Kabineti qeveritar janë vetëm 2 ministra.
Ngrihen hallet e qytetarëve nga disa deputetë, por askush nuk i dëgjon. Do ishte tjetër panoramë në Parlament nëse do të votohej për rritjen e pagave të deputetëve, për një ligj që ka të bëj me investim…”, shkruan Stafa.
Nuk kanë munguar dhe komentet e dy deputetëve të opozitës, njëri mbështetës i grupimit të Foltores që fajëson dhe qytetarët dhe tjetri i PD-së zyrtare që e cilëson të turpshme një shfaqje të tillë.

