Deri në 100 njerëz janë bllokuar në qytetin Nova Kahovka të kontrolluar nga Rusia dhe mijëra kafshë të egra janë mbytur pasi diga Kahovka u shemb në jug të Ukrainës, tha kryebashkiaku i saj i emëruar nga Moska, sipas agjencive ruse të lajmeve.Vladimir Leontiev shtoi se operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për të liruar njerëzit në zonat e përmbytura.
Më shumë se 30,000 metra kub ujë rrjedhin çdo sekondë nga rezervuari i digës dhe qyteti është në rrezik të kontaminimit për shkak të përmbytjeve, raportoi TASS, duke cituar deklaratat e kryetarit të bashkisë.
Nivelet e ujit në disa pjesë të rajonit Kherson nën kontrollin e forcave ruse pritet të mbeten të larta për tre deri në 10 ditë pas katastrofës, raportoi gjithashtu TASS.
Në 5 metra niveli i ujit
Zëvendës shefi i shtabit të Ukrainës, Oleksiy Kuleba, tha se Kievi shpreson se niveli i ujit do të ndalojë së rrituri deri në fund të ditës së sotme, pasi ka arritur rreth 5 metra gjatë natës.
Kuleba vuri në dukje se 2,000 njerëz janë zhvendosur deri më tani nga shtëpitë e tyre dhe se niveli i ujit ka arritur nivelin më të lartë në 17 vendbanime me një popullsi totale prej 16,000 njerëz.
Agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi gjithashtu, duke cituar gjithashtu kryebashkiakun e emëruar nga Moska të Nova Kahovka Leontiev, se “mijëra kafshë” në Parkun Kombëtar të Natyrës Nizhnedniprovsky ishin vrarë dhe se shkalla e shkatërrimit ishte “e madhe”.
Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës, e cila përmbyti zonat në zonën e luftës dhe detyroi mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Disa ekspertë të pavarur thonë se diga mund të jetë shembur për shkak të dëmtimit të mëparshëm dhe presionit intensiv.
