Ka përfunduar konstituimi i këshillave bashkiak në katër bashkitë e Qarkut të Dibrës. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak Bulqizë, ku u betua kryetarja e kësaj njësie vendore, Festime Mjeshtri, ishte e pranishmë dhe përshëndeti edhe drejtuesja politike e këtij rajoni, Belinda Balluku.
Në fjalën e saj Festime Mjeshtri u shpreh se: “Si Kryetare e Bashkisë Bulqizë prioritet do të kem shërbimin ndaj qytetarëve dhe se do të angazhohem për të bashkëpunuar ngushtësisht me pushtetin qëndror, që Bulqiza të realizojë të gjitha projektet e premtuara, e që do t’i sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Shpreh falenderimet të veçanta për të gjithë ata që bashkë me mua nuk u lodhën që në këtë fushatë të takojnë këdo, jo vetëm për të marrë besimin/votën e qytetarëve por edhe për t’i ftuar ato që të jenë partnerë të ngushtë në këtë rrugëtim 4-vjeçar. Puna fillon tani dhe punë të mëdha na presin përpara“.
Prania e zv/kryeministres Balluku në këtë takim të rëndësishëm, tregon përkushtimin e Qeverisë për të përmirësuar dhe për t’i dhënë një hov tjetër zhvillimit të zonës. “Urime dhe suksese në këtë sfidë, njëherësh edhe privilegj për t’ju shërbyer qytetarëve. Tani është koha për punë”, tha në fjalën e saj zv.kryeministrja Belinda Balluku, teksa uroi të parën zonjë që merr drejtimin e Bashkisë Bulqizë.

