Së shpejti, Gjykata Speciale pritet të bëjë arrestime të reja. Burime të mediave kosovare pranë Gjykatës kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për arrestimin e një tjetër ish-eprori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I njëjti burim ka pohuar se Gjykata tashmë ka bërë gati aktakuzën për të dyshuarin në fjalë. I dyshuari pritet t’i përgjigjet kësaj aktakuze duke u dorëzuar vetë në Dhomat e Specializuara në Hagë të Holandës.
Pas kontaktimit të mediave me Gjykatën Speciale, ajo nuk e pohoi e as mohoi një gjë të tillë.
“Faleminderit për interesimin por nuk mund të komentojmë për këtë” tha për mediat zëdhënësi i Gjykatës, Christopher Bennett.
Kujtojmë se në Hagë janë duke u gjykuar liderët e UÇK-së, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.