Një banesë u përfshi sot nga flakët në katin e katërt të një pallati, në bulevardin “Zogu i Parë”, në Shkodër.
Për djegien e banesës ka reaguar Bashkia e Shkodrës, e cila bën me dije se flakët janë shuar, duke parandaluar edhe përhapjen në banesat tjera, teksa njoftoi se familja është strehuar në Qendrën e Trajtimit të Studentëve dhe do t’i sigurojë ndihmën prej 20 mijë lekësh për person, si dhe 50% të vlerës së dëmit ndërtimor dhe orendi.
Njoftimi i plotë:
Ashtu sic jeni informuar edhe nga mediat, sot në bulevardin “Zogu i Parë”, një banesë në katin e katërt të një pallati ka marrë flakë. Me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses është shuar zjarri e është neutralizuar përhapja e tij në mjedise të tjera në pallat. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Ndërkohë të gjitha dëmet janë në bazë materiale ku thuajse nuk ka shpëtuar asgjë.
Me ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkisë Shkodër, specialistët e drejtorive përkatëse kanë bërë vlerësimin social e psikologjik të familjarëve, si dhe strehimin e tyre në Qendrën e Trajtimit të Studentëve dhe sigurimin e pakove ushqimore të nevojshme, përmes qendrës YEA. Drejtoria e konvikteve pranë bashkisë siguroi paisjen e familjeve me enë kuzhine. Nga ana tjetër është bërë pastrimi dhe heqja e të gjithë materialeve të djegura nga banese ku familja me pesë anëtarë jetojne me qira.
Pas paraqitjes së dokumentacionit nga familja do të vijohet me vlerësimin e dëmeve nga grupi i punës. Materiali i përgatitur do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit bashkiak dhe do të përfitohet ndihmë e menjëhershme 20 000 lekë për frymë dhe 50% e vlerës së dëmit ndërtimor dhe orendi.
Ndërkohë që kryefamiljari po merr ndihmën e nevojshme në spital, stafi i bashkisë është në dispozicon për çdo nevojë të familjes së dëmtuar.
