Këtë të martë, Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e deputetit socialist, ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Këshilli i Mandateve, sipas rregullores së Kuvendit, brenda dy javëve duhet të hartojë një raport për t’ia përcjellë seancës plenare, e cila merr vendimin përfundimtar.
Arben Ahmetaj ka qenë njeriu i besuar i Edi Ramës, duke i shërbyer në kabinetin qeveritar si ministër i Zhvillimit Ekonomik, më pas i Financave dhe në fund si njeriu që drejtoi procesin e Rindërtimit. Përveç administrimit të buxhetit të shtetit, ai mbajti edhe postin e zv/kryeministrit, duke firmosur çdo vendim apo projektligj të ekzekutivit në mungesë të Kryeministrit. I njohur me pseudonimin “Tigri”, Ahmetaj rrezikon të shtojë problemet për socialistët, nëse vendos të “kafshojë” për t’u mbrojtur.
Në dosjen e SPAK thuhet se pikërisht nga kjo njohje që Ahmetaj kishte me Zoton dhe Mërtirin ka bërë që shoqëria AlbTek Energy të përfitonte koncesionin për inceneratorin e Elbasanit. Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit kur të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit.