Në dosjen voluminoze të SPAK-ut, tregohen lidhjet e hershme të Arben Ahmetajt me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. Miqësia e tyre daton që në vitin 2012, para se Ahmetaj të bëhej ministër. Janë me qindra biseda të zbuluara në një telefon që SPAK gjeti në shtëpinë e bashkëjetueses së Ahmetajt, gjatë kontrollit të ushtruar disa kohë më parë në Hamallaj. Telefoni BlackBerry, sipas SPAK, përdorej nga Ahmetaj dhe bisedat e fshira u rikuperuan nga ekspertët e IT-së. Për SPAK, bisedat tregojnë marrëdhënien miqësore të ish-ministrit me Mërtirin dhe Zoton. Kjo vërtetohet edhe nga mënyra si i drejtoheshin njëri-tjetrit, me fjalë si “fratello”, “tigër”, “i madh”.
“Dosja është voluminoze janë rreth 400 faqe të përgatitura nga SPAK, ku relacioni së bashku me dosjen, provat dhe faktet që disponon organi i akuzës është shoqëruar me një relacion të detajuar nga organi i SPAK, dorëzuar në Këshillin e Mandateve duke kërkuar nga ata autorizimin për të bërë të mundur arrestimin e Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij. Nga të dhënat që kemi mundur të mësojmë nga dosja hetimore, kemi arritur të zbulojmë edhe detaje të reja. Kështu, rezulton se nga kontrolli i zhvilluar disa kohë më parë nga ana e Prokurorisë së Posaçme në vilën në Hamallaj në pronësi të bashkëjetueses së Ahmetajt, aty është gjetur në celular BlackBerry.
Nga ana e Prokurorisë e Posaçme është bërë edhe akt-ekspertiza e këtij celulari i cili rezulton të ketë me dhjetëra komunikime të bëra nga Arben Ahmetaj me persona të tjerë. Të paktën sipas dosjes së SPAK, aparati celular ka qenë në përdorim nga ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe komunikimet që ai ka pasur, një pjesë e tyre nga hapja në momentet e para ka rezultuar që ishin të fshira, por nga ana e ekspertëve të IT, është bërë e mundur rikuperimi i bisedave dhe transkriptimi i tyre dhe kanë arritur të përftojnë të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar sipas Prokurorisë së Posaçme marrëdhënie miqësore mes Arben Ahmetajt, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.
Që nga data 21 Korrik 2012 deri në 10 Tetor po të 2012-s, gati 3 muaj ka patur 138 komunikime telefonike mes Arben Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit. Nga komunikimet mes tyre theksohet në dosje rezulton që bashkëbiseduesit kanë pasur një raport tejet miqësor, duke iu drejtuar njëri-tjetrit edhe me disa pseudonime që sipas SPAK vërtetojnë miqësinë mes tyre, siç janë fjalët “o la”, duke nënkuptuar ‘vëlla’, thotë SPAK, “fratello”, “tigër”, “i madh”, etj.