Presidenti amerikan, Joe Biden shprehu besimin se SHBA së shpejti do të jetë në gjendje t’i shesë Turqisë aeroplanët luftarakë F-16.
Ai e bëri këtë deklaratë pas përfundimit të samitit të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius.
Lideri amerikan u takua më parë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin diskutoi për prioritetet e mbrojtjes dhe ekonomike të të dy vendeve.
“Ata diskutuan gjithashtu çështje rajonale me interes të përbashkët, duke përfshirë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Detin Egje”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se administrata Biden do të vazhdojë procesin e transferimit të aeroplanëve luftarakë F-16 në Turqi, në konsultim me Kongresin amerikan.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se është në interesin e SHBA-së dhe NATO-s që Turqia të marrë aeroplanë luftarakë F-16.