Si një aktore filmi, Alma Kaçi, e maskuar me syze dhe kapele, madje edhe duke i thënë gazetarëve dhe kameramanëve “Avash ë”, është shfaqur në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici dhe Alma Kaçi dolëb sot para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë pas paraqitjes së ankimimit.
Gjykata ka vendosur sot të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, pra “arrest me burg” dhe hodhi poshtë kërkesën e Alma Kaçit, e cila kërkonte lirinë e plotë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Pas daljes nga Gjykata, Alma Kaçi foli sërish për mediat. “Keni gjëra më të rëndësishme për t’u marrë”,– tha ajo. Kaçi kërkon zbutjen e masës së sigurisë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit ajo kërkoi ndryshimin e masës “arrest shtëpie” pasi pretendon se është e vetmja që sjell të ardhura në familje.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit ankimoi masën e “arrestit me burg” nëpërmjet avokatit, me argumentin se tenderi që flitet në video nuk është shpallur asnjëherë nga bashkia e Kukësit dhe se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit. Safet Gjici u arrestua më 24 qershor për korrupsion pasiv. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin.