Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, këtë të premte vendosi që të lërë në burg kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri, edhe pse nuk është betuar dhe nuk është në zyrë. Ai kishte kërkuar lirimin nga qelia, por trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja vendosi lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, që ka dhënë masën “arrest me burg”.
Dy ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi rezolutën greke ku shprehej shqetësimi për arrestimin e tij, në prag të zgjedhjeve të 14 majit, i cili shkeli prezumimin e pafajësisë dhe pengimin e kryetarit të zgjedhur për të marrë detyrat e tij, pasi ai mbetet në burg edhe sot e kësaj dite. Amendamenti grek është miratua me 290 vota pro.
“Parlamenti Europian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve lokale të majit, i cili shkeli prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur. Nënvizohet se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti në arsyetimin e vendimit për miratimin e ndryshimeve”, thuhet në amendamentin e eurodeputetëve grekë.
