Sali Berisha ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla se po shkel rregulloren për interesa të treshes Rama-Doshi-Gjinushi. Teksa foli për çështjen e Arben Ahmetajt, ish-kryeministri Sali Berisha nga seanca plenare kërkoi që Edi Rama të vijë në Parlament dhe të sqarojë shqiptarët për arratisjen e numrit dy të qeverisë (Arben Ahmetaj) dhe i kërkoi atij që të japë dorëheqjen.
“Zbatoni marrëveshjen Rama-Doshi, Doshi-Rama dhe Gjinushi. Por ky është i turpshëm, është një akt i turpshëm kjo që bëni. Ky është një provokim i ulët, një shkelmim i ligjeve. Kur kryetarja e Parlamentit që duhet të jetë mbrojtëse, zbatuese kryesore e rregullores, apo kushtetutës së parlamentit e shkelmon atë me dy këmbët, për interesat e Skënder Gjinushit, Tom Doshit dhe Edi Ramës, ky është fundi i këtij parlamenti.
Kjo njëherë në radhë të parë. Kjo e para, e dyta, ai zotëria që nxin aty me mungesën e tij duhet të vijë në parlament. Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkakto tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia.
Kurse ju, ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni të drejtën me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do të flasë për zv/kryeministrin? Do të flisni ju, jo ju s’keni tagër, do të flasin ministrat, jo ata nuk kanë tagër. Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen. Të japë dorëheqjen, kjo është rruga dhe këtë presin shqiptarët sot prej tij”,-tha Berisha.
