Të gjithë e njohin në qytetin e Burrelit lulishtarin e palodhur dhe mjaft të talentuar, Zenel Doçi. Pak ditë më parë doli në pension, edhe pse aktualisht sektori i gjelbërimit në këtë qytet mbeti pa një specialist të kësaj fushe. Në sektorë më pak të rëndësishëm janë mbajtur në punë deri 70- vjeçarë, ndërsa Doçit i plotësuan letrat në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Ndoshta kjo ndodhi se ai nuk iu bind urdhërave të titullarëve për të marrë pjesë në protestat e opozitës dhe hakmarrja nuk erdhi vetëm për specialistin e veçantë, por edhe për lulishten e bukur “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë” Burrel.
I lidhur ngushtë me drurët e rrallë të lushtes në verilindje të qytetit dhe mjediset e gjelbërta, çdo ditë e dallon teksa vëzhgon me dhimbje çfarë po ndodh me drurët dekorativë, me lulet, me shkurret. Është fjalë pak dhe të gjithë e kërkojnë për t’u krasitur apo për t’u dhënë formë pemëve pranë shtëpive të tyre. Është i papërtuar dhe shumë praktik.
Flet me një pasion të paparë për gjelbërimin. 22 vjet më parë nisi këtë punë të bukur. Megjithëse i vetëm si bahçevan, dimër e verë, ditën dhe natën u kujdes për gjelbërimin siç mund të kujdesen prindërit për fëmijët. “Ndjej dhimbje për pemët si të jenë njerëz. Ato janë jeta, janë gjithçka. Kur pritet një dru dekorativ apo kur dëmtohet nga agjentët atmosferikë mërzitem shumë, më shumë se kushdo tjetër”, shprehet Zenel Doçi.
Nga viti 1970 deri në vitin 1993 ka punuar në ish-fermën bujqësore të Burrelit, kryesisht si drejtues, përgjegjës sektori, brigadier dhe sidomos në menaxhimin e frutikulturës, pasi edhe shkollimin e ka patur në këtë profesion. Katër vite mbeti i papunë, duke sakrifikuar për mirërritjen e fëmijëve. Në pranverën e vitit 1997 drejtuesit e pushtetit lokal, të cilët njihnin aftësitë dhe profesionalizimin e Doçit e caktuan përgjegjës të sektorit të gjelbërimit.
Duke vijuar rrëfimin e tij, Doçi thotë se sapo nisi punën është ndjerë mjaft keq. “Ishin trazirat e atij viti të mbrapshtë. Vendi mbeti pa shtet. Kaosi përfshiu edhe gjelbërimin e qytetit. Njerëz të papërgjegjshëm iu sulën edhe lulishtes kryesore, thotë Doci. Disa prisnin pemët shumëvjeçare, të tjerë dilnin për gjueti brenda parkut. Ditë e natën u lodhëm për të shpëtuar pemët që ishin mbjellë që në kohën e Mbretit Zog. U stërmunduam, por shpëtuam fondin kryesor të lulishtes”, nënvizon specialisti.
I pyetur se ku e ka zanafillën lulishtja e Burrelit, ai thotë se ajo daton në vitin 1933, kohë kur Nëna Mbretëreshë, Geraldinë, solli pemë të rralla nga vende të ndryshme të botës. Kjo është ndër lulishtet më të hershme në vend, por ajo që bie në sy është fakti që këtu ka pasur drurë mjaft të rrallë. Projekti i kësaj lulishteje daton në vitin 1933, duke përfunduar dy vite më vonë. “Me iniciativën e Nënës Mbretëreshë janë sjellë në këtë park mahnitës drurë të rrallë nga Amerika, Azia, Afrika e Evropa. Ajo jo vetëm është njeriu kryesor që ndërtoi këtë lulishte, por solli drurë të veçantë si Kriptomeria, Sofrina, Mbretëresha, Cedrus, Selvi të ndryshme, etj, drurë këto të ruajtur me kujdes e përkushtim nga specialistët matjanë për disa dekada me radhë”, thotë Doçi.
Mirëpo parku i Burrelit është “cënuar” pjesërisht në vitet ’70-të, kur një pjesë e drurëve dekorativë të saj janë shkulur dhe janë rimbjellë në Parkun pranë Liqenit Artificial të Tiranës. Doci nënvizon se falë përkujdesjes së pushtetit vendor ndër vite, lulishtja e Burrelit është pasuruar me pemë e bimë të reja dekorative, duke ruajtur në një farë mënyre “amanetin” e Nënës Mbretëreshë, Geraldinë. Ai shton se gjatë mandatit 2011-2015, falë kujdesit të ish-nënkryetarit të Bashkisë Burrel, Mexhit Sina u mbollën qindra pemë dhe kujdesi për këtë pasuri u rrit dukshëm, duke mundësuar kështu frekuetimin e lulishtes nga mijëra qytetarë të Burrelit, sidomos gjatë stinës së verës.
Aktualisht mbi 3500 pemë dekorative, mijëra shkurre, lule dhe mbi 40 mijë metra katrorë sipërfaqe e gjelbëruar ka mbetur në mëshirë të faktit. Deri më tani, Bashkia nuk ka mundësuar gjetjen apo përgatitjen e një specialisi të fushës së gjelbërimit.


