Teksa opozita jashtë parlamentit protestonte duke bllokuar akset nacionale rrugore, kryeministri Edi Rama ishte në ekspozitën e çelur në nder të aktorit të madh Aleksandër Moisiu në ambjentet e Kryeministrisë.
Salla COD u pushtua nga 44 fotografi të printuara në kanavancë nga jeta e artistit të madh Aleksandër Moisiu, të shfaqura për herë të parë për publikun shqiptar.
Rama tha se Aleksandër Moisiu ishte aktori i parë që kishte parë në jetën e tij, ndërsa nënvizoi dashurinë e artistit për Shqipërinë.
Rama: Dëshmia e Aleksandër Moisiut është një dëshmi që jehon në çdo tipar të karakterit që sjellin fotot e tij se të jesh qytetar i denjë i botës, me kokën lart, kërkon gjithmonë pse jo që t’i kthehesh rrënjëve dhe në këtë rast Shqipërisë, me zemër dhe mos t’i qëndrosh me kurriz.
Për ta mbyllur, është si të thuash, një thyerje e sharmit magjepsës të rregullit që Mefistofeli rol në të cilin në 1909 thuhet se shkëlqeu Aleksandër Moisiu dhe falë të cilit njësoj si Fausti njohu dashurinë e një gruaje që djalli e shpallte si të vetmin realitet.Tani, ndjesë gjerman folësve këtu, unë nuk jam i tillë por më duket se thuhet, “ich bin der geist der stets verneint”. “Unë jam shpirti që mohon gjithçka”.
I pranishëm në ekspozitë ishte dhe ish-presidenti, Alfred Moisiu, i cili rikujtoi rëndësinë e artistit edhe në arenën ndërkombëtare.
Në ekspozitë bëhen publike për herë të parë foto dhe objekte të vetë aktorit si stampa e dorës, flokë origjinale, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Europës si dhe shumë dokumente dhe dorëshkrime të tij.
Seti fotografik është pronë e Muzeut austriak që prej vitit 1958.