Një tjetër biznesmen gati sa nuk ka rënë në rrjetën e një grupi mashtruesish të cilët të fshehur pas emrave të zyrtarëve të lartë të institucioneve u kërkojnë shuma të mëdha monetare. Organizatori, sipas policisë është Florian Gjergji në kërkim prej 10 janarit 2023, si një nga personat më të kërkuar për skemat e mashtrimit të biznesmenëve.
E ndërsa Florian Gjergji vijon të jetë në arrati, janë arrestuar personat që ai i kishte pajtuar për të kryer mashtrimin me anë të të cilit do të përfitonte 35 mijë euro. Në pranga kanë rënë Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata.
Florian Gjergji dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania, vend ku në një prej rasteve të tentativës për të mashtruar u ka thënë personave që pajtonte, do t’i dërgonin paratë pasi t’ia merrnin biznesmenit.
Ai është përmendur në paktën edhe në tre operacione të tjerë, një në rastin ku u tentua që t’i merreshin 130 mijë euro biznesmenit Pëllumb Salillari, një më 17 maj 2023 kur u përmend emri i kryebashkiakut Erion Veliaj me qëllim që përmes mashtrimit t’i merrnin një biznesmeni në Tiranë, Ramë Gecit, 70 mijë euro. Po ashtu një rast tjetër është kur mashtruesit kanë përdorur emrin e ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame për t’iu marrë para biznesmenëve.
