Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje studentëve për dialog, duke deklaruar se është i gatshëm të takohet me ta në çdo vend dhe në çdo orë.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje studentëve për dialog, duke deklaruar se është i gatshëm të takohet me ta në çdo vend dhe në çdo orë. Ai paralajmëroi gjithashtu se personat që, sipas tij, kanë nxitur dhunën dhe kanë marrë pjesë në akte të paligjshme do të përballen me përgjegjësi penale.
“Përsëri e përsëri, e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu..
Jam i gatshëm kudoqoftë në çdo vend, në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta.
Kundërshtia e dhunshme, kundërshtia me forcë, kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i impohohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet dhe kush e mori peng kryeqytetin duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFA- s dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar duhet ta di se do të përgjigjet.
Do të përgjigjet ligjërisht, do të përgjigjet penalisht, do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh.
Keqkuptimi i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, mund t’i imponohesh një komuniteti të tërë, mund t’i imponohesh familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë me gjuhën e gurit dhe të zjarrit.
Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në një mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon.
Shqipëria do të vazhdojë drejtë dhe Shqipëria do të çojë atje në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, u shpreh Rama.
