Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllimet homologes së saj sllovene, Natasa Pirc Musar, për viktimat që shkaktuan përmbytjet në Slloveni. Osmani tha se Kosova është e gatshme që ta ndihmojë Slloveninë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë.
“Ngushëllime të sinqerta Presidentes Musar dhe popullit të Sllovenisë për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet vdekjeprurëse të dheut. Kosova është e gatshme të ndihmojë miqtë dhe aleatët tanë sllovenë për të kapërcyer këto kohë zemërthyese”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Kësaj gatishmërie të Kosovës i është përgjigjur presidentja sllovene, e cila rishpërndau postimin e Osmanit.
“Faleminderit, zonja Presidente”, shkroi ajo.