Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me përfaqësuesit e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Rajonit të Toskanës dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, kanë inspektuar nga afër urgjencën e rikonstruktuar me kapacitete të zgjeruara, sipas standardeve bashkëkohore.
“Jam e kënaqur që në këtë kulm sezoni, arritëm që të përfundojmë urgjencën, jo vetëm të zgjerojmë kapacitetet e urgjencës, me një numër të rritur shtretërish, me një triazh që tashmë është sipas parametrave evropiane, për nga pikëpamja e hapësirave, e aparaturave, që do të përmirësojnë dhe të rrisin nivelin diagnostik dhe monitorues në Spitalin e Vlorës. Një model i shërbimit të urgjencës në Spitalin Rajonal të Vlorës, i cili do të realizohet si një model i mirëfilltë edhe në spitalet e tjera dhe ne do të vijojmë investimet në të gjithë vendin, nga Shkodra në Sarandë. Nga nesër kjo urgjencë do të jetë funksionale, duke ju shërbyer edhe turistëve të cilët janë të shumtë në këtë sezon në Vlorë, kështu që dhe kapacitetet e shtuara të Vlorës do të mundet të ofrojnë një standard të lartë të shërbimit për qytetarët e Vlorës, por edhe për pushuesit, që vijnë gjatë sezonit turistik”- u shpreh Manastirliu.
Duke folur për fuqizimin e burimeve njerëzore dhe flotës së autoambulancave, Manastirliu tha se “vijojmë sërish me investimet në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore edhe këtë vit, duke shtuar numrin e autoambulancave si dhe pilotimin nëpërmjet një autoambulance me ekip të dedikuar mjekësor për vizitat në shtëpi, që është një tjetër projekt pilot, të cilin ne do ta iniciojmë falë mbështetjes së Koperacionit Italian dhe sigurisht do t’i zgjerojmë këto shërbime, që të rritet sa më shumë mbulimi në territor i shërbimit shëndetësor, aksesi dhe cilësia e shërbimeve”.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “është bërë një investim bashkëkohor falë vullnetit e punës së pandërprerë që ka bërë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shëndeti është i pari jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për ata që kanë zgjedhur Vlorën si destinacion turistik”.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci tha se “edhe Vlora ka tashmë një urgjencë evropiane dhe ky është fryt i punës sonë të përbashkët. Italia është e angazhuar në sektorin e bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe në këto tre vite kemi vënë në dispozicion rreth 260 milionë euro. Ndërhyrjet në sektorin social janë për ne prioritet”.
Urgjenca e re në Spitalin e Vlorës do të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët, por edhe turistët, një investim i përbashkët i Qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Italian për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.
Me fuqizimin dhe modernizimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Vlorë, do të kemi një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë dhe turistëve në sezonin veror.
