Nuk ka asnjë lidhje propozimi ligjor i qeverisë sa i përket sigurimit të banesave nga tërmetet, me propozimet që ka bërë vite më parë Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.
Qeveria ka propozuar që këtë sigurim ta realizojë sektori publik. Sipas Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, modelet në botë janë të shumta, duke pasur parasysh veçoritë e ndryshme të vendeve dhe Shqipëria duhet të zgjedhë modelin që i përshtatet më mirë.
Banka Botërore vlerëson se sigurimi ndaj katastrofave është i nevojshëm për të garantuar qëndrueshmëri financiare në raste të vështira, si për njerëzit, edhe për qeverinë.
Aktualisht qeveria shqiptare nuk ka ndonjë program aktiv sa i takon financimit të rrezikut nga katastrofat. Banka Botërore thekson se për fatkeqësitë e mëdha, diferenca midis financimit të disponueshëm dhe atij të nevojshëm mund të arrijë në 2 miliardë dollarë, ose rreth 13% të PBB-së.
Projektligji i ri është konsultuar me Bankën Botërore dhe përfaqësues të Fondit të Tërmeteve në Turqi, nga janari deri në qershor të këtij viti. Ende nuk është vendosur si do të bëhet përllogaritja e tarifës dhe cila është mënyra e mbledhjes së tarifës, cila është ndërlidhja me sektorin privat të sigurimeve, cila është rëndësia risigurimit, qëndrueshmëria e skemës dhe pse është menduar që sigurimin ta realizoj sektori publik.
Qeveria parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Tërmeteve dhe mund t’i delegojë menaxhimin dhe administrimin operacional një Operatori Teknik Ndërkombëtar. Fondi kontrakton ekspertë të licencuar për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, në rastet kur një ngjarje tërmeti ka përmasa të konsiderueshme.
Ndërsa detyrimi i blerjes së policës së sigurimit dhe shuma e sigurimit për banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, (këto të fundit financojnë primin nga buxheti i tyre) përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
