Shqipëria e renditur nga Organizata Botërore e Turizmit si një ndër vendet me rimëkëmbjen më të shpejtë të turizmit pas pandemisë, vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh. Zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello në një intervistë për ATSH-në tha se “6-mujori i parë i vitit 2023 është mbyllur me bilance pozitive. Në muajt janar-qershor na kanë vizituar 3.4 milionë turistë të huaj ose 33% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 që është edhe viti më i mirë në nivel shifrash”.
Lidhur me kombësinë e turistëve të huaj, Bello tha se “për vitin e shkuar surpriza ishte Spanja, me 260% më shumë vizitorë krahasuar me vitin paraardhës, por edhe për vitin 2023 spanjollët janë në krye të klasifikimit për sa i përket hyrjeve turistike”.
“Po ashtu ndër tregjet e huaja me rritjen më të lartë të flukseve turistike dallohen Holanda, Norvegjia e Sllovenia, Britania e Madhe dhe Gjermania po ashtu. Turistët nga Kina kanë një rritje të shumëfishtë krahasuar me vitet e fundit. Sigurisht që shifrat më të larta vijnë nga mysafirët nga Kosova dhe vendet e Ballkanit”, shtoi ajo.
Zv/ministrja Bello vuri në dukje se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vazhduar çdo ditë punën për informimin, mbështetjen dhe këshillimin e bizneseve që duan të zhvillojnë turizëm. Për të një sfidë është sigurisht edhe pastërtia në qytete, por veçanërisht në zonat turistike.
“Në bashkitë bregdetare punohet me sistem 24 orësh pastrimi, por është shumë e rëndësishme që bizneset të bashkëpunojnë për hedhjen e mbetjeve në oraret e caktuara dhe jo në koshat familjarë, përndryshe parashikohen penalitete. Vetëm disa ditë më parë, policia e Vlorës bëri të mundur kapjen dhe gjobitjen e një qytetari që hodhi plehrat nga automjeti i tij në rrugë. Sfida e territorit të pastër është e përditshme, e të gjithëve e në çdo kohë. Nëse nuk shkojmë te një mendësi e tillë si përgjegjësi e të gjithëve, ky proces bëhet më i vështirë”, nënvizoi Bello.
