Kryeministri Edi Rama që ka zbuluar se kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i ka kërkuar ambasadorit italian në Tiranë, që të paguajë faturën e katër të rinjve që u larguan nga një restorant në Berat pa paguar. Në intervistën e dhënë për “La Stampa”, Rama ka treguar se Meloni i ka thënë ambasadorit Italian që duhet të paguajë faturën pasi Italia nuk mund ta humabsë respektin kështu.
“Në mediat shqiptare dhe në TikTok nuk u fol veçse për një grup italianësh që u arratisën nga një restorant në Berat pa paguar. Pronari e hodhi poshtë. Kur i thashë Giorgias, të gjithë qeshën. Ajo bërtiti dhe urdhëroi ambasadorin: “Shko dhe paguaj faturën për këta budallenj, të lutem, dhe bëj një deklaratë! Italia nuk mund të humbasë respektin kështu”, tha Rama për La Stampa.
Viku Kadëna, pronari i restorantit në Berat ku ndodhi edhe ngjarja aspak normale me turistët italianë në Berat, të cilët ikën me vrap pa paguar, shprehet se ka disa vite që punon me të huaj por kurrsesi nuk ka ndodhur një fenomen i tillë. Lokalin e punon së bashku me bashkëshorten e cila mbulon arkën dhe shërbimet.
“Ky grup ishte duke u argëtuar, na falenderuan për ushqimin ishin shumë të kënaqur. Ndërsa kishim shumë turistë të tjerë po u shërbenim menduam se do paguanin tek arka e cila ndodhet larg në dalje të lokalit. Për momentit nuk ka patur njeri tek arka, janë larguar nëpër rrugicat e mangalemit me vrap. Jo se më krijuan humbje të madhe, por le të bëhen shembull dhe ti ekspozojmë këta njerëz të cilët ulin poshtë veten e tyre. Lokali dhe bujtina është gjithmonë plot dhe s’kemi asnjë minutë pushim. Ndaj siç e kemi ne beratasit shprehjen “pastë dorën e mbar hajduti” ose ti përdorini ato lekë për një gjë të mirë”.
Një prej mediave italiane, ”Open Online” shkruan se bumi i turistëve italianë në Shqipëri, mesa duket ka sjellë edhe ata njerëz që kanë “zakone të këqija”. Ky është rasti i një grupi turistësh italianë që pasi darkuan në restorant “Guva” në Berat u larguan pa paguar një faturë prej 80 eurosh.
